Avdullah Hoti. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Hoti: Marrëveshja me Serbinë në fokus do ta ketë çështjen e personave të pagjetur

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se çështja e personave të pagjetur me të drejtë i shqetëson gjithë, ndërsa tregoi se po bëjnë përpjekje maksimale të bëjnë progres në këtë çështje ashtu siç kanë bërë gjitha qeveritë gjatë gjithë këtyre viteve.

“Dialogu me palën serbe i ndërmjetësuar nga BE jo rastësisht ka fillu me çështjen e të pagjeturve. Kjo e fuqizon nevojën dhe përpjekjen për gjetjen e trupave të varrosur në serbi. Synimi im themelor është gjetja dhe riatdhesimi i trupave të pagjetur”, tha Hoti.

Hoti shtoi se marrëveshja me Serbinë në fokus do ta ketë këtë çështje dhe do të jetë çështja kryesore pa të cilën nuk mund të shkojmë përpara në përmbylljen e marrëveshjes me Serbinë.

Kjo deklaratë e Hotit u bë pasi deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Fitore Pacolli Dalipi, e ngriti këtë çështje duke e pyetur kryeministrin Hoti se a do ta kushtëzon pjesëmarrjen e Kosovës në dialog me zbardhjen e fatit të pagjeturve.

“Në dritën e argumenteve të bëra në debatet televizive në Serbi se ekzistojnë 16 varreza masive të civilëve shqiptarë, a do ta kushtëzoni pjesëmarrjen e Kosovës në dialog me zbardhjen e fatit të pagjeturve dhe me fillimin e hetimeve për fshehjen e fakteve lidhur me personat e pagjetur”, tha Pacolli Dalipi.