Foto: ZKM

Hoti: Marrëveshja me Serbinë arrihet vetëm përmes dialogut të udhëhequr nga qeveria

Zëvendëskryeministri i Kosovës Avdullah Hoti ka thënë se e kanë para vetes një proces sfidues të arritjes së Marrëveshjes së Paqes me Serbinë, e që siç ka shtuar ai si konkluzion ka njohjen reciproke, “siç edhe shprehet Sekretari Pompeo në letrën e fundit për Qeverinë e Kosovës”.

“Ballafaqimi me këtë proces është domosdoshmëri e jona, por edhe kërkesë e miqve tanë që na kanë përkrahur për 30 vite rresht, nga kërcënimet e Kërshëndellave e deri tek bombardimet e NATO-s e shpallja e pavarësisë”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Sipas zëvendëskryeministrit, kjo marrëveshje arrihet vetëm përmes një procesi dinamik dialogues të udhëhequr nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

“Ne, si Qeveri me legjitimitet të plotë qytetarë, do të jemi pjesë e zgjidhjes (të mirë) për vendin. Pengesat e vetë shkaktuara që na përjashtojnë nga ky proces nuk na ndihmojnë, përkundrazi. Jemi në limit të kohës që të bëhemi pjesë e mbrojtjes dhe avancimit të sovranitetit të vendi tone”, është shprehur Hoti.

Dialogu politik mes Kosovës dhe Serbisë është pezulluar në 2018-n atëherë kur qeveria e Kosovës në krye me Ramush Haradinajn i vendosi taksë 100 për qind produkteve serbe dhe boshnjak.

Ndërkaq, me ndërmjetësim të të dërguarit të posaçëm të Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbisë , Richard Grenell Kosova dhe Serbia nënshkruan marrëveshje për linjë të fluturimeve, hekurudhave dhe autostradave Prishtinë-Beograd, por asnjëra prej tyre nuk janë bërë publike.