Hoti: Marrëveshja e Uashingtonit do të zbatohet edhe me presidentin Biden
Kryeministri në detyrë dhe kandidati për kryeministër nga LDK, Avdullah Hoti, tha se ShBA asnjëherë nuk ka pasur qëndrime për shkëmbime territoriale me Serbinë.
“Në proces të dialogut nuk ka pasur qëndrime të ndryshme mes BE dhe ShBA. Qasja që e ka BE në këtë proces është pak më ndryshe sesa e ShBA-së. E vërteta e plotë e dialogut është se ShBA asnjëherë nuk ka pasur një pozicion të prerë për shkëmbime territoriale”, tha Hoti në “Klan Kosova”.
Ai shtoi se ShBA ka kërkuar që Kosova dhe Serbia të rikthehen në tavolinën e dialogut.
“Krejt çka kanë kërkuar ata është Kosova me u ul në tavolinën e dialogut dhe në qeverinë paraprake u krijua një konspiracion i thikave në harta”, tha Hoti.
Tutje Hoti theksoi se marrëveshja e arritur me Serbinë me administratën Trump do të vazhdojë të zbatohet edhe tani.
“Nga një zyrtar tash na është bërë e ditur se do të vazhdojmë me zbatimin e asaj marrëveshje edhe tash me presidentin Joe Biden”, tha Hoti.
Më 4 shtator 2020, në prezencë të presidentit Donald Trump, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nënshkruan dokumente të ndara për normalizimin ekonomik.
Marrëveshja përfshin një sërë projektesh ekonomike, si ndërtimi i autostradës, i linjës hekurudhore dhe nisja e fluturimeve Prishtinë-Beograd. Në këtë marrëveshje, palët po ashtu janë pajtuar që SHBA-ja të kryejë studim fizibiliteti në Liqenin e Ujmanit me “me qëllim të përdorimit të përbashkët të Liqenit të Ujmanit, si furnizues i sigurt i ujit dhe energjisë”.