Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Hoti: Marrëdhëniet me ShBA-në janë të rëndësisë ekzistenciale për ne, jo për ShBA-në

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti përmes një reagimi në Facebook ka folur për marrëdhëniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas zhvillimeve të fundit politike në vend në lidhje me dialogun dhe marrëveshjen e kërkuar me Serbinë.

Ai ka thënë se këto marrëdhënie janë të rëndësisë ekzistenciale për Kosovën e jo për ShBA-në, prandaj sipas Hotit duhet të angazhohen të gjithë për të mirëmbajtur miqësinë e përhershme me ShBA-në.

Këta të fundit, Hoti i ka cilësuar si mbështetësit kryesor i Kosovës, duke thënë se për më tepër i ndajnë disa vlera të përbashkëta.

Këto vlera ai ka thënë se janë përkushtimi për të mbrojtur liritë individuale dhe kolektive, mbrojtja dhe avancimi i demokracisë, shtypi i lirë dhe shoqëria civile dinamike që e mbikëqyrin pushtetin, ndarja e qartë e pushtetit ekzekutiv e legjislativ nga gjyqësori, si dhe ekonomia e lirë të tregut dhe konkurrenca si bazë për zhvillim dhe mirëqenie individuale e kolektive.

Edhe ish-kryeministri tjetër i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se Kosova nuk duhet të harrojë që aleanca me ShBA-të është e përjetshme.

Thirrja opozitare për “ruajtje” të raporteve mes Kosovës dhe SHBA-ve vjen pas kërkesave të fundit ndërkombëtare për marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, përfshirë gjetja e një zgjidhjeve që pala kosovare të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Kjo çështje është permendur në propozimin e fundit evropian, një plan disa-pikësh i ofruar nga zyrtarët amerikanë e evropianë për Kosovën dhe Serbinë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se e respekton konfidencialitetin e bisedimeve, ndërsa për asociacionin ka shtuar se ka insistim të ndryshëm ndërkombëtar për zbatimin e marrëveshjes. Sipas tij marrëveshja për asociacionin, sipas draftit fillestar nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.