Hoti: LDK nuk rri në qeverinë që s’e ka përkrahjen e ndërkombëtarëve

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se kryeministri, Albin Kurti nuk është dakorduar me partnerët e koalicionit para se të vendoste kushte për tarifën ndaj Serbisë.

“Ky propozim i Kurtit nuk është i koordinuar me ne. Unë kam qenë në takim për të dakorduar çështjet që janë në agjendë të qeverisë dhe jam njoftuar nga kryeministri për këtë çështje. Nuk është qëndrim i dakorduar me ne”, ka thënë Hoti mbrëmë në T7.

Ai ka shtuar se Lidhja Demokratike e Kosovës nuk rri në qeveri nëse nuk e ka përkrahjen e ndërkombëtarëve për vendime të tilla.

“A mund të qeverisë suksesshëm në mënyrë efektive dhe mund të avancojë  agjendën shtetërore, njohjet ndërkombëtare anëtarësimet, integrimin në BE dhe NATO, një qeveri e cila nuk e ka mbështetjen e ShBA-së. Nuk mundet, në një qeveri të tillë LDK nuk rrinë”, ka thënë mbrëmë Hoti.

‘Një qeveria e cila e izolon veten nga partnerët ndërkombëtarë nuk mund të çojë përpara agjendën shtetërore të Kosovës. LDK nuk ka asnjë interes në një qeveri e cila e izolon veten”, ka shtuar Hoti.

Dje, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti njoftoi se nga 15 marsi do të hiqen tarifat për lëndën e parë ndaj këtyre vendeve me kusht që të ketë hapa konkret nga Serbia për ndaljen e fushatës së çnjohjes.

Ai shpjegoi se nëse kushti plotësohet Qeveria e Kosovës do ta largojë tarifën 100 përqind plotësisht më 1 prill 2020.

Pas këtij njoftimi ka reaguar menjëherë i dërguari special i ShBA-së për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell i cili tha se nuk e pranojnë këtë gjysmë-masë.

Megjithatë, strategjinë e Kurtit e ka mbështetur BE përmes një njoftimi sot.

“Ne e mirëpresim këtë njoftim si hap të parë dhe po presim të shohim më shumë detaje.Ky hap mund të ketë efekt pozitiv në kthimin e tregtisë rajonale dhe të ofrojë mundësi për vazhdimin e dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës, të lehtësuar prej Bashkimit Evropian”, thuhet në reagim.

BE kundër Amerikës: Mbështet Kurtin në hapat për heqjen e tarifës

www.kallxo.com