Hoti: LDK ka kundërshtarë, që s’kanë besim as në Zot e as në shtet 

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryeministër, Avdullah Hoti, tha të shtunën gjatë tubimit elektoral në Kaçanik se oponentë e LDK-së në zgjedhjet e 14 shkurtit, s’kanë besim as në Zot e as në shtet.

“I kemi përballë disa kundërshtarë që janë të majtë, që s’kanë besim as në Zot, as në shtet dhe në asgjë. Ata shërbehen veç me parulla dhe e kanë gjenezën në atë sistemin komunist për të cilin LDK-ja ka punuar shumë që ta përmbysë”, tha Hoti.

Ai tha se në listën e kundërshtarëve të LDK-së gjenden persona të të gjitha llojeve.

“Gjeni adhurues të komunizmit, gjeni njerëz ekstremistë të të gjitha llojeve. Ata s’kanë asgjë për të premtuar, përveç konfrontimeve e sharjeve. Por çka është me rëndësi, pas disa vitesh po turpërohen nga fjalët e tyre dhe po vrapojnë dhe po i heqin nga ueb faqja. Ata po turpërohen nga të bëmat e tyre për 20 vjet dhe po provojnë me IT t’i fshijnë gjurmët e turpit”, tha Hoti më tej.

Kandidati i LDK-së, tha se vetëm kjo parti ka program të qartë për zhvillimin e Kosovës.

“Shihni këta të majtit që i shohin bizneset si oligarkë dhe duan që t’iu dërgojnë inspektorët, për t’ju rritë taksat dhe vendos dividendë. Ne nuk i shohim kështu bizneset. Ne biznesin e shohim si partnerë në ndërtimin e shtetit. I garantoj të gjitha bizneset se me qeverisjen e LDK-së, inspektorët nuk do t’ju trokasin në derë pasi ne do të digjitalizojmë të gjitha shërbimet publike”, tha kandidati i LDK-së për kryeministër.