Hoti: LDK e ndali ndikimin rus në rajon

Kryeministri në detyrë dhe kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryeministër, Avdullah Hoti, gjatë vizitës në Han të Elezit tha se falë LDK-së u ndal ndikimi rus në rajon.

“Falë qeverisjes së LDK-së, për pak muaj i rregulluam raportet me aleatët. Shkuam në Shtëpinë e Bardhë për një marrëveshje që ka ndikim në krejt rajonin, duke e ndalur ndikimin rus në këtë pjesë”, tha Hoti.

Sipas Hotit, Kosova do t’ia sheh hajrin marrëveshjes së Uashingtonit, e cila u arrit më 4 shator mes tij dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq me ndërmjetësim të ish-presidentit amerikan, Donald Trump.

“Kosovarët kanë me ja pa hajrin kësaj marrëveshjeje viteve në vazhdim, sepse do të ndërtohet hekurudha drejt Durrësit, Kosova do të përfshihet në gazsjellësin që kalon përmes Maqedonisë e do të vijnë 1 miliard dollar investime”, tha Hoti më tej.

Ai po ashtu u shpreh i bindur se nëse ai përsëri bëhet kryeministër, do të arrihet një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.

“Duhet të përgatitemi shpejt për të formuar institucionet e ardhshme, institucione këto që do ta zhvillojnë ekonominë, do ta zbatojnë marrëveshjen e Uashingtonit, do t’i sigurojnë Kosovës njohje të reja, do të sigurojnë liberalizimin e vizave dhe do ta përmbyllin marrëveshjen me Serbinë. Jam i bindur se LDK ka me e pas privilegjin për t’i përmbyllur këto çështje gjatë vitit 2021”, shtoi Hoti.

Marrëveshja e 4 shtatorit në Uashington, e ndërmjetësuar nga ish-presidenti Donald Trump, për siç është thënë, normalizimin ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, parasheh zbatimin e një sërë marrëveshjesh të arritura tashmë, siç është ajo për autostradën mes Kosovës dhe Serbisë, ajo për hekurudhat dhe për linjën ajrore dhe të tjera.