Hoti kujton dy vjetorin e formimit të Ushtrisë së Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti në dy vjetorin e themelimit të Ushtrisë së Kosovës ka thënë se anëtarësimi i FSK-së në NATO është synimi kryesor.

Hoti po ashtu ka uruar të gjithë qytetarët e Kosovës për këtë ditë dhe pjesëtarët e FSK-së i ka përgëzuar për të arriturat.

“Kosovë, Urime 14 Dhjetori – Dita e Ushtrisë! Dy vjet më parë, Kuvendi i Republikës së Kosovës miratoi tri Ligje, të cilat bën të mundur transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri. Në këtë ditë historike uroj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, ndërsa pjesëtarët e FSK-së i përgëzoj për të arriturat e vazhdueshme”, ka shkruar Hoti.

Sipas tij, angazhimi dhe përkushtimi i djemve dhe vajzave në FSK është për çdo lëvdatë.

“Ndërsa ndihma e miqve tanë në ngritjen e kapaciteteve të tyre ka qenë dhe mbetet e jashtëzakonshme, për çka u jemi falënderues përherë. FSK-ja në NATO është synimi ynë. Me profesionalizimin e tyre vajzat dhe djemtë e Kosovës do të japin kontribut të çmuar për paqe në rajon dhe në botë”, tha më tej Hoti.

Parlamenti i Kosovës me 106 vota pro dhe një abstenim, dy vjet më parë miratoi tri ligjet që e ndryshojnë mandatin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri të Kosovës, por pa iu ndërruar emri.

Ligjet e miratuara ishin Projektligji për Ministrinë e Mbrojtjes, Projektligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Projektligji për shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Deputetët serbë në Parlamentin e Kosovës nuk morën pjesë në seancë, pasi që ata ishin kundër formimit të Ushtrisë së Kosovës.