Hoti kritikon qytetarët për grumbullimet e djeshme, paralajmëron rritje të numrave me COVID-19

Kryeministri i republikës së Kosovës, Avdullah Hoti ka folur lidhur me grumbullimet e qytetarëve që sipas tij u bënë dje  në disa qendra.

Ai tutje shtoi se në javet vijuese shumë prej atyre që ishin prezent do kërkojnë trajtim në spitale.

“Mbrëmë ka pasur grumbullim të madh të qytetarëve në disa qendra, që është në kundërshtim me masat e ndërmarra nga Qeveria, të rekomanduara nga IKSHP dhe profesionistët shëndetësorë. Në gjithë atë masë të njerëzve është e sigurt se ka pasur të prekur me COVID-19, që mund të jenë pa simptoma. Kushdo që ka qenë prezent aty, me gjasë e ka marrë virusin. Kjo nënkupton se në dy javët në vijim, qindra qytetarë që do të kërkojnë trajtim në spitale nga po të njëjtit mjekë, këshillat e të cilëve nuk po i respektojnë,” ka shkruar Hoti.

Hoti tutje shtoi se Policia dhe inspektorati janë duke mbikqyrur zbatimin e masave, duke shtuar se secili prej nesh duuhet të jetë polic dhe inspektor sepse askush nuk na ruan nga vetja.

“Policia dhe inspektorati janë në terren për të mbikëqyrë zbatimin e masave, por ata nuk mund të na ruajnë nga vetja jonë. Secili nga ne duhet të jetë polic dhe inspektor. Kur shkoni në dyqan, në furrë, në restorant, në komunë, e kudo tjetër, të siguroheni se janë plotësuar kushtet që ju vetë të mos infektoheni dhe të mbroni të tjerët,” ka shtuar tutje Hoti.

Hoti ka bërë thirrje që qytetarët të qëdnrojnë në shtëpi dhe larg turmave sepse sipas tij sistemi shëndetësorë nuk mund ta përballojë ngarkesën dhe nuk mund të ofrojë shërbime.

Deri më tani në Kosovë janë regjistruar 8,104 raste me COVID-19, nga ta 4,463 të shëruar dhe 212 të vdekur.