Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Hoti: Kosova nuk ka qeveri funksionale, kursimet e qytetarëve po avullohen në tregje financiare

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se mjetet e investuara të Trustit Pensional janë “pa zot”.

Sipas Hotit, Trusti nuk ka bord për t’i tërhequr mjetet nga tregjet dhe fondet që janë në rënie.

“Nuk ua dhanë një pjesë të kursimeve qytetarëve, siç u kërkua me projektligjin e inicuar me peticion nga qytetarët. Tani ato kursime po avullohen në tregje financiare pasi nuk ka kush t’i kthejë në Kosovë për t’i mbajtur si para të gatshme”- ka thënë Hoti.

Ai tutje ka thënë se në Kosovë nuk ka qeveri funksionale.

“Qeveri funksionale Kosova nuk ka. Por nuk ka as President për tu kujdesur që institucionet kushtetuese janë funksionale”- ka shkruar Hoti në Facebook.

Projektligji për Trustin,  i cili parashihte tërheqjen e deri në 30 për qind të mjeteve nga Fondi Pensional, ishte dërguar në Kuvend më 15 korrik 2022, si nismë legjislative pas mbledhjes së më shumë se 20 mijë nënshkrimeve nga qytetarët e Kosovës, por nuk është miratuar nga deputetët më 19 janar 2023.