Hoti: Kosova nuk do të shndërrohet në shtet policor por duhet zbatim të masave

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti ka njoftuar se pas takimit që ka pasur me Ministrin Zemaj, drejtorin e SHSKUK-së, drejtorin e IKSHP-së dhe me ekspertë shëndetësorë  kanë konkluduar se i vetmi shpëtim nga COVID-19 është zbatimi rigoroz i masave.

Ai tutje paralajmëroi edhe shtimin e kapaciteteve me shtretër dhe staf shëndetësorë nga java e ardhshme.

“Bashkë me Ministrin Zemaj, drejtorin e SHSKUK-së, Drejtorin e IKSHP-së dhe me ekspertë shëndetësorë, sot kemi vlerësuar situatën me covid-19 dhe përgatitjet që duhet të ndërmarrim në javët në vijim. Është vlerësim i përgjithshëm se momentalisht (në mungesë të vaksinës) i vetmi shpëtim është zbatimi rigoroz i masave: maska, distanca, higjiena dhe evitimi i grumbullimit në masë të qytetarëve. Institucionet shëndetësore janë në maksimumin e kapaciteteve të tyre. Në javët në vijim duhet të krijojmë kapacitete shtesë me shtretër dhe staf shëndetësorë,” është shprehur Hoti.

Hoti tutje ka theksuar se pas diskutimit me Ministrin Veliu, Drejtorin e Policisë, kryeshefin e AVUK-ut dhe atë të asociacionit të komunave të Kosovës kanë folur për punën e përbashkët si dhe shtoi se Kosova nuk do shndërrohet në shtet policor.

“Pas këtij diskutimi, me Ministrin Veliu, Drejtorin e Policisë, Kryeshefin e AVUK-ut dhe Drejtorin Ekzekutiv të Asociacioni të Komunave të Kosovës, kemi bërë konsultimet e nevojshme për punën e përbashkët në terren të policisë dhe inspektoratit në mbikëqyrje të masave. Kosova asnjëherë nuk do të shndërrohet në shtet policor, por jemi të obliguar që të ruajmë jetën e qytetarëve. Prandaj, policia dhe inspektorati do të zbatojnë ligjin ndaj atyre që nuk po i respektojnë masat,” është shprehur tutje Hoti.