Hoti: Kosova mund të ndërtojë një hidrocentral në Shqipëri për t’u furnizuar me energji

Dy qeveritë, ajo e Kosovës dhe Shqipërisë janë dakorduar që në gjysmën e shtatorit të mbajnë mbledhje të përbashkët në Shkodër.

Në konferencën e përbashkët të kryeministrave, Rama dhe Hoti, ky i fundit ka përmendur disa projekte që sipas tij janë shumë të rëndësishme për Kosovën.

Hoti ka përmendur mundësinë e ndërtimit të një hidrocentrali në Shqipëri që do ta furnizonte Kosovën me energji elektrike.

“Në mbledhjen e ardhshme, dua t’i përmbledhë 3 projekte madhore që janë strategjike. Pika doganore e portit të Durrësit, e dyta në fushën e Energjisë, duhet konsideruar edhe ndërtimin e një hidrocentrali në territorin e Shqipërisë për të furnizuar me energjinë Kosovë dhe projekti dhe lidhja e dy kryeqyteteve tona me hekurudhë. Unë besoj që në vjeshtë mund të gjenden fondet për fillimin e këtij projekti”, tha Hoti.

Vizita e Hotit në Shqipëri po bëhet vetëm pak ditë pas vizitës që Edi Rama e kishte në Prishtinë.

Shoqëria civile në Kosovë në vazhdimësi kanë bërë thirrje kundër ndërtimit të hidrocentraleve për shkak të dëmit që i kanë shkaktuar ambientit, përkatësisht lumenjve në Kosovë.

A po rrezikojnë hidrocentralet zhdukjen e rrjedhave të lumenjve?