Avdullah Hoti - Foto: ZKM

Hoti konfirmon vizitën e Grenell me delegacionin amerikan

Zyra e Kryeministrit të Kosovës e ka konfirmuar se nesër kryeministri Avdullah Hoti do të presë në takim delegacionin e Qeverisë së SHBA-së dhe të dërguarin special për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell.

Në Kosovë do të vijë delegacioni i Qeverisë së ShBA-së, i udhëhequr nga Kryeshefi Ekzekutiv i Korporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit në SHBA, Adam Boehler, të cilit do t’i bashkohet edhe i dërguari special i presidentit Trump për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell, përfaqësues të USAID, kryetari i Bankës së Eksport-Importit (EXIM), si dhe zyrtarë të tjerë të lartë të Qeverisë nga Departamentet e Energjisë dhe Tregtisë në SHBA.

Në njoftim thuhet se kjo vizitë bëhet në kuadër të Marrëveshjes për normalizimin ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë.

“Lidhur me detajet e kësaj vizite do të njoftoheni nesër në mëngjes”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.