Hoti komenton raportin e DASh-it për korrupsionin në sektorin publik të Kosovës

Duke komentuar raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për vitin 2020, ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti në një përgjigje për KALLXO.com, ka deklaruar se gjatë qeverisjes së tij janë munduar të vendosin një sistem efektiv për luftimin e dukurive negative.

DASh në raportin e publikuar për të drejtat e njeriut në botë në vitin 2020, mes tjerash ka vlerësuar se Kosova ka shumë zyrtarë të korruptuar në sektorin publik.

Tutje në raport thuhet se disa nga problemet tjera përfshinin kufizimet e padrejta ndaj shtypit, ku hynin dhuna ose kërcënimet për dhunë ndaj gazetarëve; korrupsioni dhe mosndëshkimi në qeveri; sulmet kundër anëtarëve të komuniteteve joshumicë ose bashkësive të tjera.

Hoti i cili ka drejtuar Qeverinë e Kosovës për rreth nëntë muaj nga qershori i vitit të kaluar, deri në mars të këtij viti, përfshirë qeverisjen në detyrë, ka shtuar se beson se janë vendosur baza të mira për luftimin e këtyre dukurive.

“Gjatë qeverisjes tonë jemi munduar të vendosim një sistem efektiv për luftimin e këtyre dukurive. Besoj se bazat e mira janë vendosur”, thuhet në përgjigjen e tij me shkrim për KALLXO.com.

Ish-kryeministri ka shtuar, se standardet e funksionimit demokratik të institucioneve dhe të rendit e ligjit duhet të forcohen vazhdimisht.

“Kosova është shtet i ri, por me perspektivë të qartë euroatlantike, prandaj standardet e funksionimit demokratik të institucioneve dhe të rendit e ligjit duhet të forcohen vazhdimisht”, është shprehur ai.

Hoti ka shtuar se nga qeveria e re pret që të ecet përpara me vettingun në drejtësi.

“Tash në qeverinë e re pres që të lëvizet përpara me vettingun në drejtësi sipas planit që është i gatshëm i përgatitur në konsultim të ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë”, ka theksuar Hoti për KALLXO.com.

Në lidhje me gjetjet e këtij raporti, KALLXO.com ka dërguar pyetje edhe në Qeverinë aktuale të Kosovës, dhe është në pritje të përgjigjes së tyre.

Disa prej skandaleve më të mëdha korruptive në Kosovë, dy vitet e fundit kanë pasur të bëjnë me arrestimet që u kryen në Ministrinë e Bujqësisë për korrupsion me subvencione. Gjithashtu, vitin e kaluar, nga Thesari i Shtetit u vodhën 2.1 milion euro.

DASH për Kosovën: Shumë zyrtarë të korruptuar vazhdojnë të jenë në pozita në sektorin publik