Hoti komenton protestën e veteranëve të UÇK-së: Nuk duhet ta pengojmë drejtësinë
Kryeministri Avdullah Hoti ka komentuar paralajmërimin e protestës nga organizata e veteranëve të luftës dhe mundësinë e shfuqizimit të Ligjit për Gjykatën Speciale.
Hoti e sheh si të drejtë elementare protestën, por tha se kur organet e drejtësisë e ngrisin një çështje, nuk duhet bërë hapa për të penguar punën e tyre por duhet përballur me to.
“E drejta për protestë është e drejtë elementare. Është e drejtë e secilit me protestë. Mirëpo ne siç kemi treguar në të kaluarën kulturë politike dhe institucionale për të respektuar obligimet ndërkombëtare që kemi edhe kësaj radhe do të sillemi njësoj. Kur organet e drejtësisë e ngritin një çështje, nuk është e udhës që të bëhen veprime për të penguar organet e drejtësisë por për t’u përballur me to”, u shprehë Hoti në konferencë për media.
Ditë më parë, Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ka njoftuar se kanë ngritur aktakuzë për krime lufte ndaj Presidentit, Hashim Thaçi dhe ish-Kryeparlamentarit, Kadri Veseli.