Hoti kërkon që të ratifikohen në Kuvend 4 marrëveshje me Izraelin, mes tyre edhe punësimi sezonal në Izrael

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, në cilësinë e kryetarit të të Grupit të Miqësisë Kosovë-Izrael, ka dërguar kërkesë tek kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca për përkrahjen, inicimin dhe sjelljen në Kuvend për ratifikim të disa marrëveshjeve ndërshtetërore mes Kosovës dhe Izraelit.

“Njohja e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran nga shteti i Izraelit që ndodhi menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes në Shtëpinë e Bardhë më 4 shator 2020, ishte një hap historik në marrëdhëniet e gjata mes dy kombeve tona”, thuhet në kërkesën e Hotit të publikuar në ‘Facebook’.

Marrëveshjet që ka kërkuar Hoti të ratifikohen në Kuvend janë: Marrëveshja për tregti të lirë Kosovë- Izrael, marrëveshja për eliminimin e tatitimit të dyfishtë Kosovë-Izrael, marrëveshja për lëvizje pa viza për qytetarët e dyjave vendeve si dhe marrëveshja për punësim sezonal të punëtorëve të Kosovës në Izrael.

Njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Izraelit ishte paraparë me Marrëveshjen e 4 shtatorit 2020, kur Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë dy dokumente për normalizimin e raporteve ekonomike, në prezencë të presidentit të atëhershëm amerikan, Donald Trump.

Po ashtu, në këtë marrëveshje ishte paraparë edhe hapja e Ambasadës se Kosovës në Jerusalem, ndërkaq në rastin e Serbisë, është paraparë zhvendosja e Ambasadës së saj nga Tel Avivi në Jerusalem.

Pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Izraelit, në Prishtinë është hapur Korporata për Zhvillim dhe Investime Kosovë – Izrael (KIDIC), qëllimi i së cilës thuhet të jetë zhvillimi dhe rritja lidhjeve tregtare ndërmjet Kosovës dhe Izraelit.