Hoti kërkon nga Vjosa Osmani që ta trajtojë me prioritet Projektligjin për ndryshimin e Buxhetit

Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka bërë të ditur se ka kërkuar nga kryeparlamentarja, Vjosa Osmani, që ta trajtojë me prioritet Projektligjin për plotësim ndryshimin e Buxhetit të Kosovës për vitin 2020, si dhe për ratifikim të marrëveshjeve ndërkombëtare.

“Bizneset e vogla dhe të mesme, përfshirë ato të drejtuara nga gra dhe sipërmarrës të rinj, janë duke u goditur më së shumti nga rënia ekonomike e shkaktuar nga pandemia. Masat për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, kanë rezultuar në ndërprerje të zinxhirit të furnizimit dhe një rënie masive të kërkesës në shumicën e sektorëve”, ka shkruar Hoti.

Hoti ka shkruar se aprovimi i Projektligjit të Buxhetit dhe ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare do t’i hapte rrugë Qeverisë për të ndërmarrë masa të menjëhershme në ndihmë qytetarëve dhe bizneseve.

“Prandaj, me mirëkuptim për situatën e rëndë ekonomike në vend, kërkojë që ky projektligj të trajtohet me prioritet të lartë”, ka shkruar në fund Hoti.