Hoti kërkon llogari nga Kurti dhe Osmani: Pse nuk u zbatua Marrëveshja e Uashingtonit?

Ish- kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti e ka kritikuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe presidenten Vjosa Osmani, pasi Serbia javëve të fundit ka nënshkruar marrëveshje me SHBA-në, Francën dhe Gjermaninë.

Ai është shprehur se cenimi i partneritetit strategjik të Kosovës me SHBA-në duhet të jetë alarm shqetësues për secilin qytetar që e do Kosovën në BE dhe NATO. E, që sipas tij, “kanë ardhur paralajmërime nga SHBA-ja se mund të ndërpritet bashkëpunimi me Policinë e Kosovës”- ka shkruar Hoti.

Si nënshkrues i Marrëveshjes së Uashingtonit, ai ka kërkuar llogari nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani se përse nuk u zbatua Marrëveshja e Uashingtonit e 4 shtatorit 2020, ‘e cila pritej të zgjidhte problemin e furnizimit me energji në Kosovë’.

Përmes një postimi në Facebook, Hoti ka drejtuar një sërë pyetjesh drejtuar Osmanit dhe Kurtit.

“Përse u anulua projekti i gazit? Përse nënçmohej partneriteti me SHBA për gaz duke iu referuar “aleanca e gypave”? Përse nuk u nis me amerikanët hekurudha për Durrës? Përse nuk u zbatua “Marrëveshja Kosovë-SHBA e 31 dhjetorit 2020 për nxitjen e investime”, e cila pritej të mobilizonte investimet amerikane në Kosovë? Kujt i përshtatet moszbatimi i Marrëveshjes së Uashingtonit nga ana e Kosovës?”- ka pyetur Hoti.

Hoti, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, këtë reagim e ka bërë duke përmendur lajmet e fundit për marraveshjen që Serbia ka nënshkruar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për bashkëpunim strategjik shumëvjeçar në fushën e energjisë; marraveshjen me Gjermaninë për shfrytëzimin e litiumit, si dhe me Francën për furnizim me avionë ushtarak.

Në anën tjetër, Kosova është nën masa financiare nga BE-ja për më shumë se një vit, që sipas Hotit, i kanë bllokuar reformat ekonomike e institucionale të Kosovës drejt BE-së, siç përcaktohet me Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit Kosovë-BE të vitit 2016.

Hoti ka përmendur edhe rastin që së fundmi Kosova po kërcënohet nga vendet kryesore të BE-së me përjashtim nga Procesi i Berlinit.

“Po ashtu, kanë ardhur paralajmërime nga SHBA-ja se mund të ndërpritet bashkëpunimi me Policinë e Kosovës”- ka shkruar Hoti.

Shtetet e Bashkuara dhe Serbia kanë nënshkruar të mërkurën më 18.09.2024, një marrëveshje për bashkëpunim strategjik në fushën e energjisë në Serbi.

Departamenti amerikan i Shtetit tha në një njoftim se “kjo marrëveshje do t’i zgjerojë mundësitë për kompanitë amerikane për të investuar në sektorin e energjisë në Serbi, përfshirë promovimin e investimeve amerikane që do ta forcojnë partneritetit strategjik SHBA-Serbi”.

Marrëveshja u nënshkrua nga nënsekretari i Shteteve të Bashkuara për Rritje Ekonomike, Energji dhe Mjedisi, Jose Fernandez, dhe ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Marko Gjuriq.

Ish- kryeministri Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kishin në shtator të vitit 2020 një marrëveshje për normalizim ekonomik në Shtëpinë e Bardhë, në prani të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Ndër të tjera, nga kjo marrëveshje Kosova siguroi njohjen nga Izraeli, ndërsa për një vit stopoi lobimin për anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe njohje të reja.

Kontrollimi i fakteve nga BIRN: Marrëveshja ‘Historike’ Kosovë-Serbi e Trump është lënë mënjanë