Foto: ZKM

Hoti jep detaje për takimin me palën serbe në ShBA më 2 shtator

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti është deklaruar për takimin e paralajmëruar për 2 shtator mes Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë.

Hoti ka thënë se do të takohen me palën serbe si dy vende të pavarura, për projekte madhore ekonomike.

Kryeministri ka shkruar në Twitter, se ShBA-ja ka qenë gjithmonë vendimtare në procesin e shtetndërtimit të Kosovës.

“Më 2 shtator takohemi në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar me palën serbe, si dy vende të pavarura, për projekte madhore të bashkëpunimit ekonomik që do ta ndërrojnë perspektiven ekonomike të Kosovës dhe rajonit. Kosova është e bekuar me miqtë e saj”, thuhet në publikimin e tij.

I dërguari i posaçëm i presidentit amerikan Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell ka bërë të ditur se Kosova dhe Serbia do të takohen në Shtëpinë e Bardhë më 2 shtator.

“Jemi të lumtur të njoftojmë se liderët e Kosovës dhe të Serbisë do të takohen në Shtëpinë e Bardhë për bisedime më 2 shtator”, ka shkruar Grenell në Twitter.

Paralajmërimi për takimin në SHBA vjen pas anulimit të atij paraprak më 27 qershor.

Ndërkaq, Kosova dhe Serbia kanë zhvilluar së fundi disa takime në Bruksel.