Hoti: Jemi në diskutime që rruga nacionale Prishtinë-Mitrovicë të shndërrohet në rrugë ndërkombëtare

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, bashkë me ministrin e Infrastrukturës Arban Abrashi, kanë vizituar rrugën nacionale Prishtinë-Mitrovicë në të cilën po zhvillohen punime.

Hoti tha se janë në diskutime që ky aks rrugor nacional, brenda disa vitesh të shndërrohet në rrugë ndërkombëtare.

“Kemi parasysh që ndërtimi i kësaj rruge është vonuar me vite. Jemi angazhuar sa më shumë në Qeveri që të përfundojnë sa më parë procedurat e shpronësimit së segmentin e rrugës para se të hyjmë në Vushtrri e deri këtu. Jemi në diskutime për disa propozime për ta bërë këtë rrugë aks rrugor ndërkombëtar deri në veri”, tha Hoti.

Sipas tij, përfundimi i kësaj rruge ka rëndësi të madhe nacionale.

Ndërsa, ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi tha se kjo rrugë tash për tash ëshë nacionale por pas disa vitesh do të shndërrohet në rrugë ndërkombëtare që do ta lidhë Prishtinën me pjesë të tjera të Ballkanit Përndimor.

“Do e dinamizojmë punën si Qeveri, që t’i bëjmë shpronësimet që të hapim frontin e punëve për segmentet që janë të kontraktuara, që së shpejti do të shihni punime edhe në aksin rrugor Gojbulë-Lum i Madh”, tha Abrashi.

Tutje, ai shtoi se kanë filluar punën një studim fizibiliteti për rrugën nga Smrekonica në Mitrovicë dhe pastaj nga Mitrovica në Jarinjë. Sipas tij ky aks në veri të Kosovës do të ndihmojë edhe në zhvillim ekonomik, në integrim edhe punësim.

Ndërsa, kryetari i komunës së Vushtrrisë Xhafer Tahiri tha se kjo rrugë bashkon veriun  edhe fizikisht me pjesën tjetër të Kosovës.