Hoti: Jemi duke shkuar drejt gjendjes së jashtëzakonshme

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se gjendja e rënduar e situatës së përhapjes së pandemisë COVID-19 në Kosovë, mund të bëj që të shpallet gjendja e jashtëzakonshme.

Ai tha se një vendim i tillë merret nga ana e Kuvendit të Kosovës në bazë të vlerësimeve të cilat do të shqyrtohen të dielën nga ana e Komitetit për Menaxhim të COVID-19 si dhe të Këshillit të Sigurisë.

Hoti këto deklarata i bëri në një intervistë në Klan Kosova.

“Tash jemi duke shkuar drejt gjendjes së jashtëzakonshme. Sonte kam pasur takim me Komitetin për Menaxhimin e COVId-19, kemi biseduar shumë hapur, mund të jetë vendim jo popullor por jam i gatshëm të shkoj në ekstreme për të ruajtur jetën e qytetarëve. Të dielën e kam thirrur takimin tjetër të komitetit për të bërë vlerësimin tjetër të situatës shtesë me informata shtesë që kemi kërkuar dhe pas asaj e kam ftuar mbledhjen e këshillit të sigurisë nëse duhet të shqyrtojmë shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Të dielën do ta shqyrtojmë sepse vendimin përfundimtar e merr kuvendi por ne do të vlerësojmë nëse duhet të shpallet gjendja e jashtëzakonshme për të ruajtur shëndetin e qytetarëve”, tha Hoti.

Vetëm në 24 orët e fundit janë shënuar tetë viktima nga COVID-19. Në total numri i personave të vdekur nga coronavirus është 95 e në anën tjetër të regjistruar si të infektuar janë gjithsej 4 mijë e 307.