Avdullah Hoti dhe Guvernatori i Bankës Qendrore Fehmi Mehmeti Foto: ZKM

Hoti insiston në idenë e tërheqjes nga qytetarët të 10% të kursimeve nga Trusti Pensional

Kryeministri Avdullah Hoti bashkë me ministren e Financave, Hykmete Bajrami, kanë takuar sot guvernatorin e Bankës Qendrore dhe drejtuesit e TRUST-it ku kanë diskutuar për ecurinë e procesit të implementimit të nismës për tërheqjen e 10% të trustit pensional.

Sipas Qeverisë, mundësia e tërheqjes së 10% të kursimeve të qytetarëve nga Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës do të bëhet me qëllim të zbutjes së pasojave në ekonominë familjare për shkak të krizës së shkaktuar nga pandemia COVID-19.

“Kryeministri Hoti kërkoi përshpejtimin e këtij procesi, duke theksuar se është shumë e rëndësishme që qytetarët ta kuptojnë se mundësia për ta tërhequr 10-përqindëshin e kursimeve të tyre nuk është politikë sociale, sepse për këtë ne si qeveri kemi pako të tjera, por është pjesë e vullnetit dhe e vendosmërisë sonë për t’u ndihmuar qytetarëve tanë”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti dhe drejtuesit e TRUST-it janë zotuar se do t’i intensifikojnë punët për ta lehtësuar këtë proces.