Avdullah Hoti. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Hoti ia kthen Haradinajt: Politika nuk duhet të përzihet në drejtësi

Kryeministrit i Kosovës, Avdullah Hoti ka deklaruar se politika nuk duhet të përzihet në drejtësi.

Ky reagim i Hotit, ka ardhur pasi ish-kryeministri dhe kreu i AAK-ë, Ramush Haradinaj është deklaruar të shtunën kundër vendimit të qeverisë për zhbërjen e task-forcës kundër korrupsionit.

“Politika nuk duhet të përzihet në drejtësi. Këtë e kemi bërë me vendimet që kemi marr në këta muaj të qeverisjes. Drejtësia duhet ta bëjë punën sipas ligjit, e jo sipas vendimeve të Qeverisë”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Hoti ka shkruar se kthimi i ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në vend duhet të jetë angazhim i të gjithëve.

“Kjo qeveri është e vendosur për të fuqizuar shtetin ligjor. Siguria juridike garantohet vetëm duke respektuar Kushtetutën, ligjet dhe institucionet shtetërore”, thuhet në publikimin e tij.

Kurse, Haradinaj ka deklaruar se shkarkimi i task forcës kundër korrupsionit shkakton pasiguri juridike.

“Kjo task forcë ka funksionuar më shumë se 10 vite. Kanë hetuar dhe kanë qenë në proces të hetimit të shumë rasteve të profilit të lartë në bazë të mandatit të tyre. Puna e tyre ka treguar që askush nuk është i paprekshëm nga drejtësia. Normalisht ka pasur shumë gjëra të përmirësohen dhe kjo task forcë të fuqizohet, qoftë nga rishikimi funksional ose nga rekomandimet e partnerëve strategjik si ShBA dhe BE”, ka shkruar ai në Facebook.

AAK-ja e Haradinajt është pjese e koalicionit aktual qeverisës me kryeministër Avdullah Hotin e LDK-së.

Ditë më parë, Qeveria e Kosovës ka zhbërë task-forcën për luftimin e korrupsionit. Madje, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti kishte deklaruar se e kanë hequr nga diskursi fjalën “korrupsion”.

Komisioni Evropian e pati quajtur shqetësues shuarjen e Departamentit Special Anti-Korrupsion nga Qeveria Hoti.