Hoti i reagon Vuçiqit për hartën e Kosovës me flamurin e Serbisë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, i ka reaguar presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në lidhje me publikimin e këtij të fundit të një fotografie të hartës së Kosovës, me flamurin serb.

Sipas Hotit, ky veprim i Vuçiq, tregon qasjen destruktive që ka pasur në vazhdimësi Serbia në raport me Kosovën, e sipas tij, përkundër zotimeve të shumta që Serba ia ka bërë edhe nën garancat e faktorit ndërkombëtar për paqe dhe stabilitet në rajon.

“Megjithë provokimet që vijnë nga fqinji ynë verior, Republika e Kosovës, përmes angazhimit dhe vendosmërisë, sigurt po vazhdon rrugëtimin drejt anëtarësimit sa më të shpejtë në NATO, Bashkimin Evropian dhe në të gjitha institucionet relevante ndërkombëtare”, ka shkruar Hoti në rrjetin social ‘Facebook’.

Ditën e djeshme presidenti serb, Aleksandar Vuçiq publikoi në rrjetin social ‘Instagram’ një fotografi, në të cilën shihej harta e Kosovës, e ilustruar me flamurin e Serbisë.