Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Hoti i kërkon edhe një herë ministrit Krasniqi shfuqizimin e udhëzimit për monopolin e naftës

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti i ka lënë edhe disa ditë kohë Ministrit të Tregtisë nga Nisma Socialdemokrate, Vesel Krasniqi që ta shfuqizojë një udhëzim administrativ që parashihte krijim të monopolit në verifikimin e cilësisë së naftës.

Megjithëse të premten Hoti kishte paralajmëruar se kjo çështje do të diskutohej në mbledhjen e qeverisë, diskutimi nuk u bë në mbledhjen që u mbajt sot (të enjten).

Antigona Baxhaku- Idrizi, këshilltare politike e kryeministrit dhe drejtore e Zyrës për Komunikim me Publikun në Zyrën e Kryeministrit, ka thënë për KALLXO.com se dje kanë kërkuar sërish nga MTI shfuqizimin e këtij udhëzimi administrativ.

“Në mbledhjen e sotme nuk është hedhur në rend të ditës për shkak që i është dërguar letër edhe një herë ministrit për shfuqizim, ai i ka 3 ose 4 ditë pune afat për të vepruar, dhe nëse nuk vepron brenda kësaj kohe, atëherë hedhet në qeveri”, tha ajo.

Të premten, Hoti kishte thënë që udhëzimet që nuk janë në përputhje me ligjin do të shfuqizohen, duke përfshirë edhe këtë për monopolin e naftës.

“Për udhëzimin që e keni fjalën unë e kam me datë 11 janar të zyrës ligjore, që ai udhëzim administrativ nuk është në përputhje me ligjin dhe unë kam dërguar shkrese tek ministri që të anulohet ky udhëzim. Afat ka pasur deri më 21 janar, meqenëse kjo nuk ka ndodhur, unë do e fus në rend të ditës në votim në qeveri”, ka thënë Hoti.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë përmes Udhëzuesit Administrativ për Kontrollin dhe cilësinë e karburanteve të lëngëta të naftës e ka paraparë krijimin e një monopoli të ri. Ky udhëzim administrativ ka paraparë që MTI-ja të kontraktojë në operator të vetëm për shënjimin (markimin) e karburanteve për një periudhë prej 5 viteve, me mundësi vazhdimi edhe për 5 vite të tjera.

Kompania që do të ketë monopolin në shenjim/markim të naftës pritet të fitojë miliona euro brenda një viti. Nëse MTI e kontrakton kompaninë për shënjim të karburanteve, siç është paraparë në Udhëzuesit Administrativ për Kontrollin dhe cilësinë e karburanteve të lëngëta të naftës, atëherë do të rritet çmimi i naftës pasi parashihet që për çdo litër të shënjuar të paguhet një në tarifë.

Monopoli në tregun e naftës garanton të hyra mbi 15 milionë euro në vit