Hoti "i kënaqur" me koordinimin BE - ShBA-ve për marrëveshjen finale me Serbinë

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka bërë të ditur se janë takuar në Bruksel me emisarin special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak dhe zëvendësndihmës sekretarin e Departamentit të ShBA-ve, Matthew Palmer.

Siç njofton kreu i ekzekutivit kosovar, ata kanë diskutuar për zhvillimet në dialog dhe takimin që pritet të mbahet të hënën.

Ai u shpreh shumë kënaqur qe po sheh “koordinim të plotë në mes të BE-së dhe SHBA-së lidhur me marrëveshjen finale në mes të Kosovës dhe Serbisë”.

“Sot në Bruksel takuam Emisarin Special të BE-se për dialog në mes te Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajcak, dhe Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Departamentit të Shtetit te SHBA-ve, Matthew Palmer. Diskutuam për zhvillimet ne dialog deri me tani dhe takimin e nesërm te nivelit te larte”, ka shkruar Hoti në rrjetin social “Facebook”, të dielen.

Nesër pritet që në Bruksel të mbahet takimi mes palës kosovare dhe asaj serbe në kuadër të dialogut për arritjen e një marrëveshje përfundimtare mes dy vendeve. Kryeministri Hoti sot tha se takimi i së hënës do të zhvillohet vetëm për “njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë”.

Kujtojmë se të premten pra dy ditë më parë Kosova dhe Serbia nënshkruan marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve ekonomike.