Hoti i jep përgjigje VV-së për mbledhjen e dy qeverive shqiptare

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti tha se agjendën për mbledhjen e përbashkët mes Qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë e cakton vetëm ai.

Kështu, Hoti iu përgjigj Lëvizjes Vetëvendosje, pasi zyrtarët e saj thanë mbrëmë se mbledhja e dy qeverive nuk ka nevojë të shtyhet për shkak të seancës së Kuvendit të Kosovës.

“Mbledhja e përbashkët është spostuar për një jave, vetëm unë e caktoj agjendën e qeverisë. Nuk ka ndonjë arsye tjetër, nesër e kemi një mbledhje të rëndësishme në Kuvend, në mesin e krejt pikave të tjera është Ligji për rimëkëmbje ekonomike”, tha Hoti të enjten në një konferencë për media.

Mbledhja e përbashkët e Qeverisë së Kosovë dhe Shqipërisë, e paraparë të mbahet këtë të premte, është shtyrë për në fillim të muajit të ardhshëm.

Shkak për këtë është bërë seanca e Kuvendit të Kosovës.

Lajmin e ka dhënë kryeministri Avdullah Hoti.

“Për shkak të seancës së Kuvendit të Kosovës, u dakorduam me Kryeministrin Rama që mbledhjen e përbashkët të dy qeverive tona, të paraparë për këtë të premte, ta mbajmë më 2 tetor. E falënderoj Kryeministrin Rama për mirëkuptimin dhe dy ekipet tona për përgatitjen e mbledhjes”, shkroi dje Hoti në Facebook.