Hoti: Hyjmë në dialog për njohje dhe normalizim të marrëdhënieve

Kryeministri Avdullah Hoti në konferencën e përbashkët me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama ka folur edhe për dialogun me Serbinë dhe vizitën e tij në Uashington që pritet të mbahet së shpejti.

Hoti deklaroi se Kosova do të hyjë në dialog për njohje dhe normalizim të marrëdhënieve.

“Kosova ka institucione legjitime, kushtetuese, të gatshme të marrin përgjegjësitë që i takojnë. Unë jam i gatshëm për të përcaktuar një datë me Z.Grenell. Fillimisht me një agjendë ekonomike e pastaj ato politike të dialogut. Ne hyjmë për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve”, u shprehë Hoti.

Takimi i paraparë të mbahej me 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë ishte anuluar për shkak të zhvillimeve në Kosovë kur Dhoma e Prokurorit të Specializuar kishte njoftuar për aktakuzën ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe ish kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli.

Fillimisht shkuarjen në Amerikë e kishte anuluar presidenti Thaçi, e pastaj njëjtë kishte vepruar edhe kryeministri Hoti.