Foto: KALLXO.com

Hoti: Grupet punuese e kryen punën, tash Albin Kurti e Isa Mustafa duhet ta formalizojnë marrëveshjen

Ka përfunduar para pak minutash takimi i gjashtë i grupeve punuese të Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së për harmonizimin e programit qeverisës të Qeverisë që do të drejtohej nga Albin Kurti.

Pas takimit ka folur nënkryetari i LDK-së, Avdullah Hoti.

Ai tha se ky ishte takimi i fundit për pjesën programore të marrëveshjes.

“E them me kënaqësi se kemi arritur të kemi marrëveshje për të gjitha çështjet programore. Për sa na përket neve si grupe punuese kemi arritur të përmbyllim diskutimet dhe pritet që shumë shpejt raportin ta dorëzojmë te liderët e dy partive”, tha Hoti.

Hoti tha se pret që liderët e dy partive do të ulen menjëherë pas certifikimit të rezultateve për ta konkretizuar dhe për të formalizuar këtë marrëveshje.

“Besoj që kemi vendosur një standard të ri dhe një transparencë të plotë para qytetarëve pas këtyre takimeve”, shtoi ai.

“Për aq sa ne kemi qenë të mandatuar jemi dakorduar për strukturën e qeverisë dhe formën se si do të strukturohen institucionet. Tash u përket liderëve politikë të vendosin për formimin e qeverisë”, theksoi Avdullah Hoti.

Avdullah Hoti tha se asnjëherë nuk kanë diskutuar për asnjë post.

KALLXO.com transmetoi LIVE konferencën për media: