Hoti fton subjektet politike të bashkohen për përmbylljen e marrëveshjes me Serbinë

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, gjatë raportimit në Kuvedin e Kosovës në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi, ka folur për marrëveshjen e nënshkruar në Uashington. Hoti beson se qasja serioze e Kosovës në këtë proces ka ndikuar që SHBA-ja, të angazhohet fuqishëm dhe të marrin rol aktiv.

“Në prani të presidentit Tramp kemi nënshkru marrëveshje zotimi për normalizim ekonomik mes dy shteteve. Kjo marrëveshje siç e keni pa e kemi dorëzu zyrtarisht te deputetët prej të cilave kryesore janë projektet e mëdha infrastrukturore me vlerë mbi 1 miliard dollar amerikan ku përfshihet autostrada Prishtinë – Merdare, hekurudha Prishtinë – Merdarë, studimi i fizibilitetit për hekurudhën që e lidhë Prishtinën me detin Adriatik, mbështetja financiare për ndërmarrje të vogla dhe të mesme, investimi në energjetikë dhe projekte të tjera”, tha Hoti.

Sipas tij pikë tjetër me rëndësi është funksionalizimi i pikës kufitare në Merdarë.

“Është gatishmëria jonë që kemi shfaqur për të hy në zonën minishengen njohja e diplomave, certifikatave që lëshojnë institucionet e dy vendeve, studimi i fizibilitetit nga departamenti për energji i SHBA-së, për përdorimin e ujit të liqentit të Ujmanit, njohja reciproke me shtetin e Izraelit dhe plot pika të tjera”, tha ai.

Hoti vlerësoi që ky është momentum i ri ndërkombëtar i mardhënieve BE – SHBA sa i përket procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë i cili sipas tij ka për qëllim të përmbyllet një herë e përgjithmonë.

“Kemi punu që të kthejmë besimin e tyre i kemi kordinu veprimet tona me partneret tonë ndërkombëtar duke fillu nga vendimet e vështira që i kemi marr qysh në fillim të mandatit. E kemi bërë të qartë si qeveri se nuk do të barrikadohemi por do të bashkëpunojmë dhe do të rreshtohemi krah partnerëve tane e jo kundër tyre”, shtoi Hoti.

Sipas tij kjo marrëveshje është fitore e madhe për popullin e Kosovës dhe është hap i madh drejt normalizimit të mardhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Me këto projekt Kosova kthehet në qendër të aktiviteteve në regjion e më gjerë sa i përket komunikacionit rrugor. Këtë rol të rëndësishëmm Kosovës po ia sigurojnë miqtë e saj të cilët po e mbështesin këtë qeveri me vision të qartë, qeverisje qytetare e normale që promovon ekonominë e tregut dhe vlerat europiane”, shtoi Hoti.

Hoti ka ftuar të gjitha grupimet politike pa përjashtim të bashkohen për të përmbyllur marrëveshjen me Serbinë për njohje reciproke.

Hoti tha se nuk mund të hesht ndaj të pavërtetave për marrëveshjen e Uashingtronit dhe procesin e dialogut në përgjithësi.

Hoti tha se cilësimi i marrëvehsjes i arritur në Shtëpinë e Bardhë si marrëveshje e rrezikshme dhe e dëmshme është gabim strategjik dhe është i pasinqertë.

“Partnerët tanë e kanë mirëkuptu qasjen tonë duke eliminu nga çdo lloj diskutimi temën e shkëmbimit të territoreve apo bisedat e ndryshme që e bosnjizojnë Kosovën”, shtoi ai.