Hoti: FSK-ja misionin e parë ndërkombëtar do ta ketë me Gardën Kombëtare të Ajovës

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se Forca e Sigurisë së Kosovës misionin e parë paqeruajtës ndërkombëtar do ta ketë në kuadër të Gardës Kombëtare të shtetit amerikan Ajova.

Hoti ka thënë se Qeveria i ka ndërmarrë të gjitha vendimet procedurale për këtë mision.

“Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë të gjitha  vendimet procedurale për dërgimin e kontingjentit të FSK-së në kuadër të Gardës Kombëtare të Ajovës në misionin paqeruajtës. Qeveria sipas ligjit kërkesën e ka dërguar në Kuvend”, ka thënë Hoti.

Sipas tij, përparimi i vazhdueshëm i FSK-së ka bërë që kjo e fundit ta fitojë besimin e Shteteve të Bashkuara.

“Përparimi i vazhdueshëm i FSK-së dhe përkushtimi ka bërë që FSK të fitojë besimin e ShBA për të qenë krah forcave paqeruajtëse. Kjo na konfirmon besimin e partnerëve. Vendimi i Qeverisë tregon se Kosova mbetet e përkushtuar që ta rrisë bashkëpunimin me ShBA dhe partnerët e tjerë”, tha Hoti

Hoti ka thënë se kjo e bën krenar që misioni i parë i Forcës së Sigurisë së Kosovës  do të jetë në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kuvendi i Kosovës është mbledhur në seancë të jashtëzakonshme për të votuar propozimin e Qeverisë për dërgimin e FSK-së në misione paqeruajtëse jashtë vendit.