Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Hoti flet për mënyrën si do ndahen paratë nga Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka mbajtur konferencë për media pas kalimit të Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike.

Hoti ka thënë se ky ligj ka qenë pjesë e planit të tyre qeverisës që brenda këtij viti dhe viti të ardhshëm të futen 1.2 miliardë euro në ekonomi.

“Falënderoj të gjithë deputetet pa përjashtim për mbështetjen e këtij ligji i cili është pjesë e programit tonë qeverisës që brenda vitit 2020 dhe 2021 të futen 1.2 miliardë euro në ekonomi. Janë rreth 212 milionë euro nga Trusti pensional që mund t’i tërheqin qytetarët, është fondi rreth 200 milionë euro për biznese, një tjetër fond prej 20 milionë euro vetëm që punëtorët të mos humbin vendin e punës, heqja e TVSH-së në lëndën e parë për prodhuesit vendor, lirimi nga interesat dhe ndëshkimet për vonesa në pagesa të tatimeve për kompanitë, ulja e TVSH-së për gastronominë dhe fondi për garantim të kredive,” ka thënë Hoti.

Hoti shtoi se Trusti pensional po bënë përgatitjet që sapo të fillojë zbatimi i ligjit qytetarët të mund të tërheqin paratë.

” Trusti do bëjë përgatitjet e nevojshme në mënyrë që pas tetë ditëve që ligji të hyjë në fuqi qytetarët të tërheqin mjetet. Nga premtimi jonë nga 1.2 miliardë euro në këtë vit do realizojmë 365 milionë euro.Me këtë ligj ne fusim në ekonomi edhe rreth 600 milionë euro, mënyrë direkte dhe indirekte. Këto dyja së bashku bëjënë afër 1 miliardë euro,” shtoi Hoti.

Hoti për fund theksoi se në bazë të studimit të fundit të FMN-së, Kosova renditet në mesin e vendeve me pakon më të madhe për rimëkëmbje ekonomike që shkon rreth 5 për qind e bruto produktit vendor.

Kalon Ligji i Rimëkëmbjes Ekonomike, qytetarët do mund ta tërheqin 10 përqindëshin nga Trusti