Avdullah Hoti. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Hoti falënderon deputetët për votimin e Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka falënderuar deputetët e Kuvendit për votimin e Ligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike të Qeverisë së Kosovës.

Hoti ka deklaruar se nga ky ligj, qytetarët dhe bizneset do ta ndjejnë përkrahjen direkte të Qeverisë, pas pasojave të shkaktuar nga pandemia COVID-19.

“U jam mirënjohës dhe u falenderohem të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të cilët besuan dhe e mbështetën Ligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike të Qeverisë së Kosovës. Nga ky ligj, qytetarët dhe bizneset do ta ndjejnë përkrahjen direkte të Qeverisë, që bashkërisht t’i kalojmë sa më lehtë pasojat e shkaktuara nga #COVID19”, ka shkruar kreu i ekzekutivit në rrjetin social “Facebook”, të premtën.

Kuvendi i Kosovës e ka miratuar në lexim të dytë Projektligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike – COVID-19 në seancën e jashtëzakonshme të mbajtur sot.

Ky projektligj ka arritur të miratohet me 72 vota për, asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim.