Hoti edhe sot mbledh kabinetin qeveritar

Qeveria e Kosovës do të mblidhet edhe sot. Kjo mbledhje pritet të fillojë në ora 08:30.

Pikat e rendit të ditës dhe agjenda e mbledhjes së sotme të kabinetit qeveritar nuk janë bërë të ditura.

Qeveria e Kosovës dje ka miratuar masat e reja për mbrojtjen dhe parandalimin e përhapjes së mëtejme të pandemisë COVID-19.

Vendimi për masat e reja përfshin 30 masa, të cilat hyjnë në fuqi sot, në orën 18:00.

Ky vendim do të vlerësohet pas dy jave, varësisht nga situata epidemiologjike në vend dhe vlen deri në një vendim tjetër.

Sipas këtij vendimi komunat do të ndahen në tri kategori sipas shkallës së rrezikut nga përhapja e infeksionit.

“Komunat me rrezik të ultë – deri në 75 persona të infektuar për 100,000 banorë brenda një javë (kategorizohen me ngjyrë të gjelbër); Komunat me rrezik të mesëm – nga 76-150 persona të infektuar për 100,000 banorë brenda një javë (kategorizohen me ngjyrë të verdhë); Komunat me rrezik të lartë – mbi 150 persona të infektuar për 100,000 banorë brenda një javë (kategorizohen me ngjyrë të kuqe)”, thuhet në vendim.

 

 

Nga sot në ora 18:00 hyjnë në fuqi masat e reja