Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti në Parlamentin Evropian, Foto: Facebook

Hoti e kritikon Lajçakun: Dialogu Kosovë-Serbi ka degraduar në nivel teknik

Ish-kryeministri i Kosovës, tash deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti e ka kritikuar emisarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Hoti ka shtuar se nuk e kuptojnë ndërmjetësin e BE se çfarë po ndërmjetëson në këtë dialog, duke shtuar procesi ka degraduar, nga takimet e nivelit të lartë për marrëveshje përfundimtare, në takime teknike.

Këtë deklaratë ai e ka dhënë në takimin e Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asocim Kosovë-BE, në Parlamentin Evropian në Strasburg të Francës.

“Me gjithë respektin për Z. Lajçak, ai nuk është aty për të hapur zyrat në Bruksel kur palët dakordohen që të takohen. Ai nuk është aty për të bartur mesazhe nga njëra palë tek tjetra. Ai është aty për tu siguruar se po bëhet progres drejt marrëveshjes finale për njohje reciproke. Mendoj se nuk është detyrë e ndërmjetësit të mbajë gjallë dialogun si qëllim në vetvete. Detyrë e tij është të afrojë palët drejt marrëveshjes finale për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve”, ka thënë Hoti, duke e publikuar fjalimin e tij në Facebook.

Sipas Hotit, kjo gjendje e tregon mungesën e vendosmërisë së e BE-së për të përmbyllur dialogun.

“Më vjen keq të shoh se si lidershipi i Bashkimit Evropian e lejon degradimin e këtij procesi, nga takimet e nivelit të lartë për marrëveshje përfundimtare, në takime teknike. Kjo tregon mungesën e vendosmërisë së e BE-së për të përmbyllur dialogun. Duhet thënë se besimi i opinionit kosovar sa i përket procesit të dialogut është lëkundur para një kohe. Tani, me këtë qasje, ky mosbesim po thellohet”, ka shtuar ish-kryeministri.

“Ndërmjetësi i dialogut, z. Lajçak, kujdeset që të mos e përmend qartë, hapur dhe pa ekuivokë ‘njohjen reciproke’, që është qëllimi kryesor dhe i vetëm i dialogut”, ka thënë Hoti.

Si përfaqësues i opozitës, Hoti ka theksuar se shpreh mbështetjen e tyre ndaj procesit të dialogut.

“Ne do të jemi në krah të Qeverisë së Republikës së Kosovës, e cila është bartëse e këtij procesi sipas Kushtetutës së Kosovës”, ka thënë ai.

Deputeti i LDK-së, ka shtuar se dialogu duhet të fokusohet vetëm në arritjen e marrëveshjes përfundimtare për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve.

“Ne nuk e mbështesim dialogun teknik, i cili vetëm e prolongon arritjen e marrëveshjes finale dhe, rrjedhimisht, e lë mundësinë e hapur për jo stabilitet në rajon”, është shprehur ai.

Në fund të muajit shkurt, në Bruksel me ndërmjetësim të Lajçak, u mbajtën takime të ndara në Bruksel në nivel të kryenegociatorëve.

Lajçak paralajmëron marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë “për disa dokumente”