
Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Hoti e akuzon Qeverinë Kurti për vendime me "elemente komunizmi"
Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës e ka akuzuar Qeverinë Kurti për vendime të “sistemeve komuniste.
Këtë ai e ka thënë përmes një postimi në Facebook, ku ka shkruar se Projektligji për Fondin Sovran është “hap drejt ekonomisë së komanduar”.
“Projekligji per themelimin e Fondit Sovran paraqet hap konkret drejt vendosjes të ekonomisë së komanduar, i cili sistem ka dështuar… Më në fund, këta majtistë po e marrin guximin të tregojnë se për çfarë sistemi ekonomik janë — këta janë për ekonomi të komanduar me elemente komunizmi.” – ka shkruar Hoti.
Sipas Hotit, vendimet e dy viteve të kaluara janë tipike të sistemeve komuniste.
“Ulja e pagave, ligji për çmimet maksimale, vendimi për caktimin e marzhave të fitimit, tendenca për shtetëzim të Odës Ekonomike, marrja e të hyrave vetanake të komunave e kështu me radhë. Të gjitha këto janë veprime që e karakterizojnë sistemin komunist” – ka përfunduar Hoti.
Reagime sot ka pasur edhe nga Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, e ka vlerësuar si antikushtetues Projektligjin për Fondin Sovran.
Bajrami, e cila në Qeverinë Kurti 1 ka qenë ministre e Financave, ka thënë se nëse Projektligji aktual bëhet ligj atëherë do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.
Qeveria Kurti 2 ka premtuar shuarjen e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) dhe themelimin e Fondit Sovran.
Projektligji për Fondin Sovran ka për qëllim të themelojë Fondin Sovran si institucion investiv dhe zhvillimor, të përcaktojë statusin, funksionet dhe qeverisjen e Fondit, si dhe të rregullojë menaxhimin e aseteve, investimet dhe financimin e Fondit.