Hoti: Do të jetë e vështirë që të kompensohen të gjitha dëmet nga vërshimet  

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti ka mbajtur një takim virtual me kryetarët e komunave për menaxhimin e pasojave të vërshimeve, në të cilin kanë marr pjesë edhe ministra të kabinetit qeveritar.

Hoti tha se do të vazhdojë të dalë në terren për të parë gjendjen nga vërshimet.

“Jemi vërtet me fat që nuk ka pasur asnjë rast me fatalitet nga këto vërshimet dhe unë besoj kjo tregon që institucionet tona në nivel komunal dhe qendror janë të konsoliduara, të përgatitura që të intervenojnë shpejt në rast se ndodhin vërshime të tilla”.

Megjithëkëtë Hoti shtoi se dëmet nga vërshimet janë të konsiderueshme, në shtëpi banimi dhe në toka bujqësore.

“Ajo që më shqetëson më shumë është në shtëpi banimi, në disa raste që unë i kam parë në disa komuna është e qartë që ato shtëpi banimi nuk bëhen të banueshme ndoshta deri në verë, edhe pasi të bjen niveli i ujit”, tha ai, duke shtuar se do të jetë e vështirë që të kompensohen të gjitha dëmet nga vërshimet.

Kryeministri në detyrë ritheksoi se do të themelojnë një fond emergjent nga rezervat shtetërore për këtë çështje, duke besuar se kjo do të bëhet të premten në mbledhjen e qeverisë.

Si pasojë e reshjeve të pandërprera të shiut e të borës, Kosova po përballet me pasojat e vërshimeve ditëve të fundit, me që rast qindra banorë janë evakuuar nga shtëpitë e tyre.