Hoti- deputetes së VV-së: Ti veç don me bo 'shou' në Kuvend
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në Kuvendin e Kosovës ka folur rreth punëve pas shpërbërjes së Ministrisë së Integrimit Evropian dhe formimit të një zyre lidhur me integrimet evropiane.
Ai ka replikuar me deputeten e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, duke i thënë kësaj të fundin se dëshiron të bëjë “shou” në Kuvend.
“Ne kemi vendosur kur e kemi propozuar programin qeverisës këtu dhe në fakt kur është votuar qeveria këtu që Ministria për Integrim Evropian të avancohet, jo të shkrihet siç po interpretohet nganjëherë, por të avancohet brenda Zyrës së Kryeministrit”, tha ai
Hoti këtë deklaratë e dha në Kuvendin e Kosovës, duke iu përgjigjur deputetes së LVV-së Fitore Pacolli se çfarë ka ndodhur në këtë drejtim.
Ai shtoi se kanë marrë vendim që të themelohet kjo zyrë me të njëjtin staf dhe me të njëjtat kapacitete teknike dhe profesionale që i ka pasur Ministria.
“Memi duke punuar në një plan veprimi të gjitha institucionet për të adresuar sfidat që i nxjerr raporti për Kosovën. Nuk jemi prapa në këtë proces, ndoshta nuk ka qenë mjaft vizibile për t’u parë, por është bërë shumë punë brenda zyrës time dhe te ministritë përkatëse deri te dakordimi i dokumentit ‘ERA 2’ i cili do t’ju vijë së shpejti për informim në Kuvend”, tha ai.
Kryeministri shtoi se e ka ngarkuar zëvendësin e tij për të mbuluar portfolion, lidhur me integrimet.
Pas Hotit, reagoi sërish deputetja Pacolli, e cila theksoi se këto nuk janë avancime por dështime.
“Kanë kaluar katër muaj dhe nuk e dimë se çfarë po ndodhë. Nuk na thatë se kur përfundon tranzicioni. ”, tha ajo.
Kurse, kryeministri Hoti tha se zëvendëskryeministri Selmanaj ka qenë në Komisionin Parlamentar për integrime evropiane.
“Ti i di të gjitha këto informata, i ke ditë si anëtare e komisionit veç do me bo show këtu në Kuvend”, tha ai.
Pas shuarjes së Ministrisë së Integrimit Evropian, Qeveria Hoti fillimisht kishte planifikuar themelimin e një agjencie, por tashmë kjo është vendosur të jetë zyrë.