Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Hoti dënon sulmin fizik ndaj infermierëve në Spitalin e Prizrenit

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, e ka dënuar sulmin fizik që është bërë mbrëmë ndaj infermierëve nga ana e familjarëve në Urgjencën e Spitalit të Prizrenit.

Hoti përmes një shkrimi ka deklaruar se mjekët, infermierët dhe tërë personeli mjekësor e mbështetës, gjatë situatës me pandeminë COVID-19, duhet vlerësuar, e jo sulmuar.

“Ngjarja e mbrëmshme në Urgjencën e Spitalit të Prizrenit, ku familjarët kanë sulmuar fizikisht infermierët në detyrë është gjest i shëmtuar ndaj atyre që punojnë për të mbrojtur shëndetin dhe jetën e qytetarëve, përfshirë edhe të atyre që i kanë sulmuar. Mjekët, infermierët dhe tërë personeli mjekësor e mbështetës, gjatë këtyre muajve sa po përballemi me pandeminë Covid-19, kanë dëshmuar përkushtim të lartë që duhet vlerësuar, e jo sulmuar. Sulmet ndaj heronjve të kohës janë të turpshme dhe të pa pranueshme”, ka shkruar kryeministri Hoti në rrjetin social “Facebook”, të dielën.

Kreu i ekzekutivit ka ftuar organet e rendit që të vihen në mbrojtje të mantelbardhëve, ndërsa organet e drejtësisë që ta kryejnë detyrën e tyre shpejt.