Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Hoti: Demarkacioni dhe Asociacioni ishin kauza të rrejshme

Kryeministri në detyrë dhe kandidati i LDK-së për kryeministër, Avdullah Hoti, i ka quajtur “kauza të rrejshme” kundërshtimet e atëhershme të opozitës për demarkacionin me Malin e Zi dhe formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Demarkacioni ka qenë kauzë false, plotësisht false… Të dyja kauzat kanë qenë false edhe demarkacioni edhe Asociacioni. Demarkacioni mbetet kauzë e rrejshme sepse s’është provu asnjëherë, Zajednica madje nuk është shqip”, tha Hoti në “Klan Kosova”.

Më 21 mars 2018, me 80 vota për, 11 kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar Marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.

Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës për ratifikimin e demarkacionit u zhvillua nën tensione e masa të shtuara të sigurisë.

Lëvizja Vetëvendosje tentoi që ta pengojë ratifikimin e demarkacionit përmes hedhjes së gazit lotsjellës. Hedhja e gazit lotsjellës dhe ndërprerja e seancës në katër rastet kur është provuar të votohet për ratifikimin e demarkacionit, ka sjellë si rezultat largimin e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje nga salla e Kuvendit nga Policia e Kosovës.

Marrëveshja e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi është nënshkruar në gusht të vitit 2015.