Hoti bisedon në telefon me sekretarin e NATO-s, Stoltenberg

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka bërë të ditur se sot ka pasur një bisedë telefonike me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Hoti është deklaruar se Kosova është e përkushtuar për integrime euroatlantike.

“Sot pata një bisedë telefonike me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, të cilin e falënderova për angazhimin e KFOR-it për paqen, sigurinë, si dhe ndihmën në menaxhimin e pandemisë COVID-19 në Kosovë. Me këtë rast, e kam vlerësuar edhe punën e Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT), që po jep ndihmesë të rëndësishme për avancimin e institucioneve të sigurisë së Kosovës”, ka shkruar ai në Facebook.

Sipas Hotit, Republika e Kosovës është e përkushtuar ta ndërtojë të ardhmen e saj euroatlantike dhe të bëhet sa më parë pjesë e NATO-s dhe e institucioneve të tjera ndërkombëtare.

Tutje Hoti ka shtuar se Sekretari Stoltenberg e ka siguruar atë se NATO-ja do të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë me institucionet e Kosovës për të siguruar një mjedis paqësor dhe një të ardhme të sigurt për të gjithë qytetarët e saj dhe të rajonit, “si dhe mbështetjen për procesin e dialogut me Serbinë si mënyrë e vetme për të siguruar zgjidhje politike afatgjate”.

Kosova dhe Serbia pritet të  takohen në SHBA më 2 shtator në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.