Hoti bisedoi me kancelarin austriak Sebastian Kurz

Kryeministri i  Kosovës, Avdullah Hoti ka zhvilluar një bisedë telefonike me kancelarin e Austrisë, Sebastian Kurz, të cilit thuhet se i shprehu mirënjohjen e Qeverisë dhe popullit kosovar për përkrahjen e vazhdueshme që Austria i ka dhënë vendin.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Hoti e njoftoi kancelarin austriak për prioritetet e Qeverisë së Kosovës, posaçërisht për menaxhimin e pandemisë Covid 19 dhe rimëkëmbjen ekonomike të vendit si pasojë e kësaj pandemie.

Kryeministri Hoti tha se Qeveria e Kosovës është plotësisht e përkushtuar për ta përmbyllur me sukses procesin e integrimit të vendit në strukturat euroatlantike dhe, si përherë deri më tani, pret mbështetjen e plotë të kancelarit Kurz dhe të vendit të tij.

Në këtë kontekst, kryeministri Hoti i propozoi kancelarit Kurz krijimin e Forumit Ekonomik Austri-Kosovë me pjesëmarrjen e të dy kryeministrave.

Sa i përket dialogut me Serbinë, kryeministri Hoti theksoi se Kosova është e gatshme që dialogu të vazhdojë, me qëllim që ndërmjet të dyja vendeve të arrihet një marrëveshje e përhershme paqeje e stabiliteti, që nënkupton edhe njohjen reciproke.

Ndërsa, bëhet e ditur se kancelari austriak Kurz ritheksoi gatishmërinë e vendit të tij për ta mbështetur edhe më tej Kosovën dhe të gjithë rajonin në procesin e integrimeve evropiane, duke theksuar se Ballkani Perëndimor vazhdon të mbetet ndër prioritet kryesore të politikës së jashtme austriake.