Hoti 'arsyeton' mosrespektimin e masave kundër pandemisë, nga LDK-ja dhe partitë tjera

Kryeministri në detyrë i Kosovës, njëherësh nënkryetari i LDK-së, Avdullah Hoti ka deklaruar se masat për mbrojtje nga COVID-19 duhet të respektohen, edhe pse vetë  nuk e ka bërë një gjë të tillë, në disa takime të fundjavës.

Në një konferencë për media, duke iu përgjigjur pyetjes së KALLXO.com se pse nuk po i respekton masat, Hoti ka theksuar se janë munduar maksimalisht që të respektojnë ato.

“Jemi kujdesur maksimalisht që t’iu përmbahemi masave për mbrojtjen nga Covid, duke u siguruar që takimet që janë jo publike por janë takime me njerëz tanë, të strukturave tona të mbahen në salla që ka mundësi të mbahet distanca duke u kujdesur që të mbahet maska dhe masat tjera për mbrojtje nga Covid”, theksoi ai.

Hoti shtoi se ligji vlen për të gjithë njësoj dhe se masat janë në fuqi dhe duhet të respektohen.

“Masat janë në fuqi, duhet të respektohen. Unë edhe vet personalisht kam mbajtur disa takime, jemi munduar maksimalisht që të zbatojmë masat që i kemi ndërmarrë duke u siguruar që në sallë, sepse nuk kanë qenë takime të hapura, kanë qenë takime me kryesitë  e strukturave tona dhe besoj që, nuk i kam përcjell por besoj që edhe në partitë tjera, duhet të jenë pak a shumë kështu”, tha ai.

KALLXO.com ka raportuar për shkeljet që po u bëjnë këtyre masave partitë politike në Kosovë, përfshirë LDK-në, në tubimet para zgjedhjeve nacionale të 14 shkurtit.

Partitë politike mbajnë tubime, shkelin masat qeveritare për mbrojtje nga COVID-19