Hortikultura, njohësi i botanikës e opozita deklarohen për krasitjen e drunjve në Prishtinë (PAMJE)

Gjatë ditës së sotme ndërmarrja publike komunale ‘Hortikultura’ në Prishtinë ka krasitur drunjtë dekorativ në sheshin ‘Skënderbeu’ dhe ‘Nënë Tereza’.

Nga pamjet e siguruara prej KALLXO.com shihet se këta drunj janë kthyer si në gjendjen fillestare kur janë mbjellë para tre viteve dhe shumë qytetarë reaguan duke e konsideruar si dëmtim.

Isak Rakovica nga ndërmarrja ‘Hortikultura’ për KALLXO.com ka thënë si i gjithë ky proces po bëhet në mënyrë profesionale.

Ai shtoi se kjo lloj krasitje është dashur të bëhet para dy viteve por ka pas mungesë të mekanizmave dhe ekipit profesional.

“E gjitha mënyra e krasitjes së drunjve po bëhet në mënyrë profesionale dhe me pëlqim të komunës. Drunjt në shesh janë mbjellë me formën që e kanë sot. Ky proces është dashur të kryhet para dy viteve por ka pasur mungesë të mekanizmave”, ka thënë Rakovica.

“Sa i përket kurorave të drunjve në shesh, në atë formë po u’a japim edhe tani me këtë pastrim fitosanitar, forma e tyre do jetë horizontale ashtu siç kanë qenë kur janë blerë nga Bashkimi Evropian”, shtoi tutje ai.

Vahid Avdiu, profesor në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë në një deklarim për Kallxo.com ka thënë se nuk është në dijeni për mënyrën si ka krasitur komuna, por shpesh nevojitet krasitje më e ashpër në drunj.

Ai tha se krasitjet e ashpra i lënë hapësirë rigjenerimit të bimës, duke potencuar se praktika të tilla aplikohen edhe në shtetet të ndryshme të perëndimit.

“Nuk jam në dijeni për mënyrën si ka krasitur komuna pasi nuk kam qenë pjesë e atij ekipi profesional, por shpesh krasitja e ashpër është e nevojshme për rigjenerim të bimës. Kjo lloj praktike përdoret edhe në shtete të Bashkimit Evropian”, ka thënë ai.

Ai potencoi se drunjt si ata në shesh që kanë qenë në formë ombrelle duhet të mirëmbahen çdo vit pasi e humbin formën fillestare.

“Drunjt si ata që kanë qenë në shesh mund të humbasin identitetin arkitektonik bimor në rast se nuk mirëmbahen për çdo vit, thjesht  e humbin formën fillestare dhe mund t’u nevojitet krasitje më e madhe”, shtoi tutje Avdiu.

Sipas tij, në Kosovë ka mungesë të stafit profesional që merren me drunj dekorativ dhe kjo pastaj mund të mos bëhet në formën e duhur.

Kurse Gëzim Sveçla, asamblist i Lëvizjes Vetëvendosje në Komunë tha se kanë marr shumë ankesa nga qytetarët lidhur me këtë çështje.

“Unë nuk e di si shkon ky proces, por nga ajo që po shoh kjo krasitje dallon shumë prej praktikave të kaluara. Kemi marr madje shumë ankesa nga qytetarët se drunjtë po krasiten në formë jo profesionale, pra po përgjysmohen dhe kjo mund të marr ndoshta shumë kohë për t’u kthyer në gjendjen e duhur”, ka thënë Sveçla.

Nga Hortikultura  bëjnë të ditur se procesi i krasitjes ka filluar nga muaji nëntor në rrugën ‘Agim Ramadani’ dhe pritet të vazhdojë deri në muajin prill, përfshirë lagjet ‘Dardania’ dhe ‘Ulpiana’.

Këta muaj janë periudha kur vegjetacioni është aktiv.

Në muajin nëntor të vitit 2021, ndërmarrja ‘Hortikultura’ me pëlqim të Komunës së Prishtinës nisi procesin e pastrimit fotosanitarë në rrugën ‘Agim Ramadani’ ku po ashtu pati kritika për prerje të tepërt të degëve.

Pastrimi fitosanitarë përfshinë dhënien e formës së bimëve dekorative, largimin e degëve të thata, largimin e gjetheve të rëna në sipërfaqe dhe në fund rikultivimin e sipërfaqeve gjelbëruese.

Ndërmarrja ‘Hortikultura’ në fund të vitit 2021 bëri të ditur se përpos pastrimit në rrugën ‘Agim Ramadani’ ky process do vazhdoj sipas planifikimi të Drejtorisë së Parqeve dhe komisionit profesional për këtë projekt edhe këtë vit.