Homazhe në përvjetorin e 21-të të sulmeve të 11 shtatorit

Shtetet e Bashkuara shënojnë të dielën 21-vjetorin e sulmeve më të mëdha terroriste në tokën e tyre.

Si pasojë e këtyre sulmeve kanë vdekur rreth 3.000 njerëz.

Nëntëmbëdhjetë militantë, të lidhur me grupin terrorist Al-Kaida, kanë rrëmbyer katër aeroplanë dhe i kanë përplasur aeroplanët në Kullat Binjake në Nju Jork, në Pentagon pranë Uashingtonit dhe në një fushë në Pensilvani.

Edhe këtë përvjetor, krerët shtetërorë të Kosovës ka kryer homazhe te pllaka përkujtimore “Kosova kujton” në Prishtinë, e cila nderon viktimat e këtij sulmi.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se pas sulmit të 11 shtatorit, populli i SHBA-së dhe ai i Kosovës, kanë bashkuar forcat për të luftuar terrorizmin.

“I bashkohemi gjithë popullit amerikan për të ndarë dhimbjen për më shumë se 3.000 jetë të humbura në një betejë, e cila edhe një herë u dëshmua se ishte betejë vlerash. Më 11 shtator 2001, shtetasit amerikanë ishin nën një prej sulmeve terroriste më të tmerrshme në historinë e njerëzimit. Por, atë ditë nuk u sulmua vetëm Amerika, u sulmuam të gjithë ne që besojmë në po të njëjtat vlera. Në vlerat e lirisë dhe demokracisë”, ka thënë ajo.

Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është deklaruar pas homazheve.

“Populli i Kosovës qëndron pranë popullit amerikan, dhe SHBA-ja e ka dëshmuar edhe pas sulmeve të 11 shtatorit se është komb i njerëzve të lirë e të barabartë, dhe se nuk bëjnë kompromis me vlerat e tyre”.

Zëvendësambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Alyson Grunder, ka falënderuar autoritetet e Kosovës që janë solidarizuar në përkujtim të kësaj ngjarjeje.

“Unë kam qenë në Nju Jork në atë ditë të kombshme, duke shërbyer në misionin e SHBA-së në Kombet e Bashkuara. Mund të imagjinoni tronditjen që do ta përjetonte secili njeri ndaj një akti të tillë, që synonte të vriste sa më shumë njerëz të pafajshëm. Mirëpo në ditët në vazhdim ne kemi parë solidariteten nga e tërë bota, përfshirë edhe këtu nga Kosova”.

Themeluesi i Al-Kaidës, Osama bin Laden, ka qenë në Afganistan në kohën e sulmeve, nën mbrojtjen e talibanëve – islamistëve që kanë qenë në pushtet qysh në vitin 1996.

Kur talibanët kanë refuzuar ta dorëzojnë atë, Shtetet e Bashkuara dhe forcat aleate kanë pushtuar Afganistanin, duke u zotuar se do të mbështesin demokracinë dhe do të eliminojnë kërcënimin terrorist.

Kanë kaluar më shumë se 10 vjet qëkur Osama bin Laden, themeluesi i Al-Kaidës, është vrarë nga forcat speciale amerikane në Abotabad të Pakistanit, por askush nuk është dënuar për ndihmën që i ka ofruar atij në kryerjen e sulmit.

Vetëm një person – Zacarias Moussaoui – është deklaruar fajtor dhe është dënuar me burgim të përjetshëm./REL