Foto: Komuna e Mitrovicës

Homazhe në 22-vjetorin e masakrës së forcave serbe ndaj civilëve shqiptarë në Rrugën e Kovaçëve në Mitrovicë

Sot në qytetin e Mitrovicës është përkujtuar masakra e kryer në Rrugën e Kovaçëve, në të cilën kishin mbetur të vrarë 31 shqiptarë.

Në 22-vjetorin e masakrës morën pjesë kryetari i Komunës, Agim Bahtiri, nënkryetari Faruk Mujka, të shoqëruar nga kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, të cilët kanë vendosur buqeta lulesh dhe kanë bërë homazhe te pllaka përkujtimore ku janë të vendosur emrat e të vrarëve.

Në këtë përvjetor morën pjesë edhe familjarët e viktimave.

Kryetari i Komunës, Agim Bahtiri, ka thënë se kjo ishte masakra më e madhe e forcave policore serbe që kanë bërë brenda qytetit të Mitrovicës ndaj popullatës së pafajshme shqiptare.

“Sot jemi mbledhur këtu të përkujtojmë të gjithë ata të cilët padrejtësisht e në mënyrë barbare humbën jetën e tyre. Ne si institucione lokale kërkojmë nga institucionet e nivelit qendror, respektivisht kryeministri Kurti, që sa më parë të kërkojë drejtësi për këta qytetarë dhe për të gjithë të rënët, sepse vetëm kështu drejtësia do të shkojë në vend e kriminelët do të marrin dënimin e merituar”, ka thënë Bahtiri.

Ndërsa, kryeparlamentari Konjufca ka thënë se duhet të ngrihet padi për gjenocidin serb për të gjitha krimet e kryera ndaj popullit të Kosovës.

Ai më tutje ka shtuar se këta martirë nuk mund të pushojnë të qetë përderisa kriminelët serbë mbesin të lirë.