Zona Schengen - Foto: REL/Shutterstock

Holanda kundër futjes së Bullgarisë në zonën Shengen

Kryeministri bullgar Galab Donev tha të hënën se Holanda po kundërshtonte pranimin e Bullgarisë në zonën që mundëson udhëtimin pa pasaporta brenda Bashkimit Evropian që njihet si zona Shengen.

Blloku evropian ka 27 vende anëtare, por jo të gjitha janë pjesë e marrëveshjes së Shengenit.

Vendet anëtare të BE-së, Bullgaria, Kroacia dhe Rumania po kërkojnë t’i bashkohen Shengenit dhe kanë nevojë për mbështetjen unanime të ministrave të brendshëm të BE-së në takimin që do mbahet më 8 dhjetor.

Kryeministri holandez ka përmendur shqetësimet se Bullgarisë i mungojnë rregulla efektive për të luftuar korrupsionin.

Kryeministri bullgar tha se vendi i tij përmbushi të gjitha kërkesat për t’iu bashkuar Shengenit dhe kundërshtimi mund të krijojë ndarje brenda BE-së. Ai i quajti rezervat e Holandës “standard të dyfishtë”.

“Në ditët në vijim, qeveria do të vazhdojë punën e saj aktive me partnerët për të siguruar pranimin e Bullgarisë në Shengen”, tha ai.

“Në të njëjtën kohë, në varësi të rezultatit, qeveria do vendosë për përgjigjen adekuate përfshirë miratimin e kundërmasave”.

Austria ka thënë se kundërshton zgjerimin e Shengenit me Bullgarinë dhe Rumaninë duke përmendur mbrojtjen e kufijve të jashtëm të BE-së.

Ajo ka thënë se numri i emigrantëve të ardhur që kalojnë nëpër këto vende do të duhet të bjerë që ajo të pajtohet me zgjerimin e Shengenit.

Komisionerja e Çështjeve të Brendshme të BE-së, Ylva Johansson tha se Bullgaria, Rumania dhe Kroacia i përmbushte të gjitha kërkesat e Shengenit.

Të gjitha raportet “e bëjnë të qartë se Bullgaria, Rumania dhe Kroacia përmbushin plotësisht të gjitha kërkesat për të qenë anëtarë të plotë të Shengenit. Ky është ai që pres të jetë rezultati i Këshillit të enjten”, tha ajo në Bruksel të hënën.

Megjithatë, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, në një intervistë që u botua të hënën në të përditshmen çeke “Hospodarske Noviny”, tha se debati për këtë mund të ndikohet nga vazhdimi i sulmeve të reja ruse me raketa në Ukrainë dhe rreziku i një vale të re refugjatësh si rezultat i kësaj.

“Unë isha më optimist para disa muajsh për marrëveshjen…”, citohet të ketë thënë ai.

“Tani që duhet të merret vendim, atmosfera është ndryshe”./VOA