Policia e Shtetit

Hodhi lëndë plasëse në derën e një agjencie funeralesh, policia në kërkim të një personi 

Për shkak të një borxhi të pashlyer, një 35 vjecar po dyshohet se hodhi lëndë plasëse në derën e një agjencie funeralesh në Shkodër. 

Policia e Shtetit ka njoftuar se tashmë kanë arritur që të zbardhin rastin dhe të identifikojnë të dyshuarin për ngjarjen e cila u regjistrua në orët e mëngjesit të 29.08.2024. 

Një person është identifikuar dhe është shpallur në kërkim pasi që i njëjti sipas policisë, hodhi lëndët plasëse në derën e agjencisë së funeraleve e në anën tjetër ka edhe raste të tjera penale për armëmbajtje pa leje. 

“Nga veprimet hetimore dyshohet se për shkak të një borxhi të pashlyer, ky shtetas ka hedhur në derën e agjencisë funerale në pronësi të bashkëshortëve F. F. dhe A. F., një sasi lënde plasëse, nga shpërthimi i së cilës u shkaktuan vetëm dëme materiale”- thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Tutje policia ka njoftuar se po vijon puna për kapjen e 35-vjeçarit dhe vënien e tij përpara përgjegjësisë ligjore.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.