Hodaj: Inspektorati Policor i Kosovës do të analizojë pamjet dhe rrethanat e arrestimit të Aleksandar Arsenijeviqit
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) do të analizojë pamjet dhe rrethanat e arrestimit të politikanit serb të Kosovës, Aleksandar Arsenijeviq, edhe pse nuk ka pranuar ndonjë ankesë për rastin.
Kështu ka konfirmuar për KALLXO.com kryeshefi i IPK-së, Kushtrim Hodaj.
“IPK deri më tani nuk ka pranuar ndonjë ankesë lidhur me këtë arrestim. Megjithatë sipas detyrës zyrtare do t’i analizojmë pamjet dhe rrethanat e rastit dhe do të veprojmë konform autorizimeve ligjore të IPK-së” – tha Hodaj.
Arsenijeviq nga partia “Demokacia Serbe” është arrestuar sot më 10.09. 2024 pas fishkëllimave të tij.
Policia ka thënë se arrestimi është bërë për “prishje të rendit”.
Arsenijeviq është dërguar në stacion dhe pas shqiptimit të një tikete për kundërvajtje është liruar.
Arrestimi është dokumentuar në një video të publikuar në profilin e partisë ”Demokracia Serbe”.
Ky arrestim ndodhi në të njëjtën ditë që kryeministri Albin Kurti vizitoi Mitrovicën e Veriut.
Kurti u pyet nga KALLXO.com nëse do të kërkojë llogari nga Policia për këtë arrestim, duke marrë parasysh se sipas Ligjit për Rendin dhe Qetësinë Publike, prishja e rendit dhe qetësisë publike që ka të bëjë me zhurmën konsiderohet vetëm pas orës 22:00 në ditë të javës, e pas orës 23:00 në fundjavë.
Kryeministri tha se kush ka vërejtje për Policinë e Kosovës mund t’i adresojë ato në Inspektoratin e Policisë së Kosovës.
“Kjo është çështje e Policisë së Kosovës. Kush ka vërejtje për Policinë e Kosovës është Inspektorati i Policisë së Kosovës. Unë nuk i bëj dot këto dy institucione. Nuk kam as të drejtë, as dëshirë t’i zëvendësoj” – deklaroi Kurti.
www.kallxo.com