Varret në Srebrenicë - Foto: REL/AP

Historiani izraelit “do të korrigjojë numrin e vdekjeve në Srebrenicë në raportin serb të Bosnjës”

Historiani Gideon Greif, i cili drejtoi një komision të financuar nga qeveria serbe të Bosnjës, i cili botoi një raport mbi Srebrenicën duke mohuar kryerjen e gjenocidit, tha se do të bëjë një sqarim që konfirmon se 8,000 njerëz u vranë në masakrat në korrik 1995.

Gideon Greif tha për gazetën izraelite Haaretz të martën se ai së shpejti do të realizojë një shtesë në raportin mbi Srebrenicën të botuar korrikun e kaluar nga një komision i financuar nga qeveria e entitetit të mbizotëruar nga serbët e Bosnjës, Republika Srpska, për të bërë të qartë se rreth 8,000 njerëz nga Srebrenica u vranë në korrik 1995.

“Ne do të publikojmë një sqarim për raportin në javët e ardhshme”, tha Greif për Haaretz, duke thënë se kjo do t’u përgjigjet kritikëve që e kanë etiketuar atë një revizionist historik.

Raporti i Komisionit të Pavarur Ndërkombëtar të Hetimit mbi Vuajtjet e të Gjithë Popujve në rajonin e Srebrenicës, i mbështetur nga Republika Srpska, ndërmjet viteve 1992 dhe 1995, deklaroi se numri më i madh i viktimave të Srebrenicës që mund të ishin varrosur në varret parësore nuk i kalonte 3,715.

Historiani izraelit i tha Haaretz megjithatë se nuk do të ketë ndonjë rishikim në pjesën e raportit që thotë se vrasjet e boshnjakëve nga forcat serbe të Bosnjës nuk përbënin gjenocid.

Raporti pasqyronte opinionin e udhëheqësve politikë serbë të Bosnjës, të cilët kundërshtojnë vendimet e gjykatës ndërkombëtare që i kanë klasifikuar masakrat e Srebrenicës si gjenocid. Ai pohoi gjithashtu se një pjesë e madhe e boshnjakëve që u vranë ishin ushtarë aktivë, jo civilë siç kanë gjetur gjykatat.

Greif tha se përdorimi i numrit më të ulët të vdekjeve ishte një gabim: “Ishte gabimi im personal, kështu që ne do ta korrigjojmë atë për të publikuar të vërtetën dhe mendoj se kjo polemikë rreth komisionit do të reduktohet ndjeshëm”, tha ai.

Ai tha se komisioni pajtohet që numri i të vdekurve ishte rreth 8,000.

“Dhe ne nuk e shtrembërojmë atë; ne e pranojmë atë. Natyrisht, ne i dënojmë krimet. Dhe do ta bëjmë edhe më fort në sqarimin tonë”, shtoi ai.

Por Emir Suljagiç, drejtor i Qendrës Përkujtimore të Srebrenicës, argumentoi se Greif dëshiron të “normalizojë revizionizmin dhe mohimin e gjenocidit”.

“Ky raport është krejtësisht i papranueshëm, gjithçka në të është gënjeshtër, asgjë nuk është e vërtetë në të”, tha Suljagiç.

Komisioni i kryesuar nga Greif u krijua në vitin 2019, me iniciativën e Asamblesë Kombëtare të Republikës Srpska dhe presidentit të atëhershëm të entitetit të dominuar nga serbët, Milorad Dodik, i cili tani është anëtar serb i presidencës trepalëshe të Bosnjës.

Krijimi i komisionit nxiti shqetësime në mesin e ekspertëve të Ballkanit se ai ishte një projekt i motivuar politikisht për mohimin e gjenocidit nga autoritetet serbe të Bosnjës.

Në vitin 2004, një raport i mëparshëm që u miratua nga qeveria e Republikës Srpska konfirmoi se forcat serbe të Bosnjës vranë mijëra boshnjakë dhe tha se ekzekutimet përbënin një shkelje serioze të ligjit humanitar. Por Asambleja Kombëtare e Republikës Srpska më pas e anuloi këtë raport në vitin 2018./BalkanInsight